Translations:Onuncu Söz/241/sq

    Risale-i Nur Tercümeleri sitesinden

    Në qoftë se nuk do të kishte ndonjë vend tjetër, diku tjetër, ku ato të mund të shfaqen plotësisht, atëherë do të bëhej e domosdoshme, me një marrëzi si ajo e atij njeriu i cili mohon ekzistencën e diellit, megjithëse e shikon dritën duke mbushur ditën dhe do të mohonte urtësinë që ne mund ta shohim në çdo gjë përpara syve tonë, do të mohonte përkujdesjen që ne mund ta vëzhgojmë në vetveten tonë dhe në shumicën e gjërave, do të mohonte këtë drejtësi([1]) që shenjat e së cilës shfaqen kaq fuqishëm, dhe do të mohonte këtë mëshirë që ne e shikojmë në çdo vend. Gjithashtu do të duhej të konsiderohej Autori prej të Cilit vijnë këto zhvillime urtësie, këto veprime bujarie dhe këto mirësi të mëshirshme që ne i marrim në univers – do të duhej të vlerësohej - ruajna Zot!, si një tallës e një tiran tradhtar e mashtrues. Është krejtësisht e pamundur që të përmbysen të vërtetat. Madje edhe sofistët idiotë, të cilët mohuan ekzistencën e çdo gjëje dhe madje ekzistencën e vetes së tyre, nuk do t’i afroheshin lehtë përfytyrimit të këtij absurditeti.

    1. Ndodhen dy lloje drejtësie, njëri është pozitiv dhe tjetri negativ.
      Lloji pozitiv është t’i japësh të drejtën e meritueshme atij që i takon. Kjo formë drejtësie ekziston gjithandej botës në formën më të qartë, sepse siç u provua te e Vërteta e tretë, se ajo çfarë kërkon çdo gjë dhe ajo çfarë është e domosdoshme për ekzistencën e vazhdimësinë e jetesës së saj, të cilën ajo gjë e kërkon nga Krijuesi i saj, me gjuhën e prirjes së saj të bashkëlindur, me gjuhën e nevojës natyrale, dhe me gjuhën e domosdoshmërisë së saj, ajo gjë i jepet asaj në përputhje me një balancë të veçantë dhe me një kriter të veçantë. Domethënë, kjo formë drejtësie është aq e sigurt sa vetë jeta e vetë ekzistenca.
      Lloji i dytë i drejtësisë, negativja, qëndron në ndëshkimin e padrejtësive; ky lloj u jep keqbërësve hakun e tyre nëpërmjet shpagimit e dënimit. Ky tip drejtësie edhe në qoftë se nuk shfaqet plotësisht në këtë botë, mirëpo ndodhen shenja e tregues të panumërt që na lejojnë neve për ta kapur me intuitë e për ta perceptuar natyrën e vërtetë të saj. Për shembull, të gjitha goditjet qortuese dhe kamxhikët ndëshkimorë që u ranë popujve kundërshtarë, nga Adi e Themudi gjer tek popujt kryengritës të këtij shekullit tonë, sigurisht tregojnë se një drejtësi e lartë e sundon botën...