Translations:Yirmi Üçüncü Söz/139/sq
Ndërsa në qoftë se hyn mosbesimi tek qënia e njeriut, që do të thotë prishje e marrëdhënieve me Krijuesin, atëherë të gjitha mbishkrimet kuptimplote të Emrave Hyjnorë do të zhyteshin në errësirë dhe nuk do të mund të lexoheshin, sepse po të harrohet Krijuesi, atëherë aftësitë shpirtërore që e perceptojnë Atë dhe që janë të orientuara drejt Tij, nuk do të kuptoheshin, madje ato do të përmbyseshin. Shumica e atyre arteve sublime dhe skalitjeve të bukura kuptimplote do të fshiheshin dhe pjesa tjetër, domethënë ato që mund të kapen me sy, do t’u atribuoheshin shkaqeve të rëndomta, natyrës dhe rastësisë duke u zhvlerësuar kështu krejtësisht. Në një kohë kur secila nga ato është një diamant brilant, ajo do të bëhej si një copë qelqi që vishet dhe që i ka humbur shkëlqimi. Kështu, rëndësia e tij do të kufizohej vetëm tek qënia fizike e shtazore. Ashtu siç thamë, qëllimi dhe rezultati i qënies së tij fizike apo materiale është vetëm kalimi i një jete të shkurtër e të pjesshme, të cilën njeriu e jeton si më i pafuqishmi, më nevojtari dhe më i dëshpëruari nga të gjitha krijesat. Pastaj ai kalbet e mbaron. Shiko pra se si mosbesimi e shkatërron natyrën njerëzore dhe si e transformon atë nga diamanti në qymyr.