Translations:On Üçüncü Söz/308/sq

    Risale-i Nur Tercümeleri sitesinden

    Po kështu është edhe ajri, i cili është një vend ku shfaqet në maksimum vullneti dhe urdhri i All-llahut xh.sh. Në çdo pjesë të tij, sa madhësia e një thoi të vogël, në erë, në fllad dhe madje në çdo frymë të vogël të njeriut që e harxhon kur shqipton fjalën هُوَ “Hu” “Ai”, ajri kryen detyra të panumërta.

    Në qoftë se këto detyra e funksione të pafundme do t’i atribuoheshin natyrës, rastësive apo shkaqeve të rëndomta materiale, atëherë do të duhej të ishin të pranishëm në çdo molekulë ajri e në shkallën më të zvogëluar, çentrale të panumërt telefonikë, qendra, aparate marrëse e dhënëse të të gjitha telefonave, telegrafeve, të radiostacioneve në botë dhe të zërave e të fjalëve të ndryshme e të pakufishme. Dhe do të duhej që ajo molekulë të kishte fuqinë për të përmbushur të gjitha ato detyra e funksione të pafundme në një kohë të vetme, përnjëherësh, ose çdo grimcë e çdo pjesë e ajrit që gjendet në fjalën هُوَ “Hu” “Ai” , duhej të kishte aftësi dhe personazhe jolëndorë sa numri i gjithë përdoruesve të ndryshëm të telefonit, të telegrafistëve dhe të atyre që transmetojnë nëpër radio. Gjithashtu asaj grimce ajri do t’i duhej të njihte të gjitha gjuhët e dialektet e tyre të ndryshme dhe njëkohësisht t’ua bënte të njohur ato edhe molekulave të tjera.