Translations:Otuzuncu Söz/202/sq
Fytyra e parë, e cila është fytyra e Profetësisë: Ajo është origjina e adhurimit të pastër dhe të vërtetë. Domethënë, ‘Uni’ e di vetveten se është një rob i bindur ndaj Krijuesit të tij. Ai e kupton se ai i shërben dikujt tjetër, dhe jo vetes. Esenca e tij ka vetëm një kuptim tregues. Domethënë, kupton se ai mban dhe përcjell kuptimin e një tjetri. Ekzistenca e tij është e varur, domethënë, ai beson se ekzistenca e tij është vetëm për shkak të Ekzistencës së një tjetri, dhe se vazhdimësia e ekzistencës së tij, është vetëm për shkak të krijueshmërisë së tij nga Ai tjetri.
Pronësia e tij është e rreme, domethënë ai e di se me lejen e pronarit të tij, ai ka një pronësi të jashtme e të përkohshme. Realiteti i tij është si një hije; domethënë, një hije e mundshme dhe e dobët që shfaq manifestimin e një realiteti të vërtetë e të domosdoshëm. Sa për funksionin e tij, duke qenë një masë dhe një peshore për Atributet dhe çështjet e Krijuesit të tij, ai është një shërbim i vetëdijshëm.