Translations:Yirmi Üçüncü Söz/182/sq
Njeriu ka nevojë për shumicën e qënieve të larmishme të universit dhe është i lidhur ngushtë me to. Nevojat e tij përhapen në të gjitha anët e botës dhe dëshirat e shpresat e tij shtrihen deri në përjetësi. Njeriu ashtu siç dëshiron një lule, ashtu dëshiron pranverën madhështore; ashtu siç dëshiron një kopsht, po ashtu aspiron parajsën e përhershme; ashtu siç i qan zemra të shikojë një mik, po kështu digjet nga malli për të parë Krijuesin Hirplotë; ashtu siç e merr malli për të parë një të dashur në një vend tjetër dhe aspiron që dera e të dashurit të tij të jetë e hapur për të, në të njëjtën mënyrë ai ka nevojë të vizitojë botën e ndërmjetme, me qëllim që të vizitojë nëntëdhjetë e nëntë për qind të të dashurve të tij të cilët kanë udhëtuar atje dhe kështu të shpëtojë nga ankthi i ndarjes prej tyre. Ai ka nevojë të kërkojë mbrojtje tek dera e të Plotëfuqishmit Absolut, i Cili do ta mbyllë derën e kësaj dynjaje të gjerë dhe do të hap derën e botës tjetër, e cila është një ekspozitë mrekullirash e çudirash dhe është Ai i Cili do ta heqë këtë botë e në vendin e saj do të vendosë botën tjetër duke e shpëtuar këtë njeri nga dhimbja e ndarjes së përhershme.