Translations:Yirmi Beşinci Söz/1049/sq
Në të vërtetë, ashtu si Kur’ani që në mënyrë të jashtëzakonshme është elokuent për sa i përket stilit të tij dhe mënyrës së shpjegimit, po ashtu ka një elokuencë shumë të rrjedhshme në formulimin e tij. Dëshmi e qartë për ekzistencën e kësaj elokuence është se Kur’ani nuk na shkakton lodhje e mërzi. Dëshmia e dijetarëve brilantë të shkencës së retorikës formon një provë vendimtare të urtësisë së elokuencës. Po, në të vërtetë, Kur’ani madje nuk të mërzit edhe sikur të përsëritet me mijëra herë; përkundrazi, ai të jep kënaqësi. Ai nuk është i rëndë as për kujtesën e vogël e të thjeshtë të një fëmije; fëmijët mund ta mësojnë përmendësh lehtë Kur’anin. Ai nuk është i mërzitshëm as për veshin e një njeriu të goditur nga një sëmundje e rëndë, i cili do të shqetësohej dhe nga fjala më e vogël; përkundrazi ai do të kënaqej e ndjehej i lehtësuar prej tij. Ai është si një sherbet për shijen e hollë të dikujt në grahmë të vdekjes. Recitimi i Kur’anit i jep kënaqësi të ëmbël veshit dhe mendjes së njeriut si kënaqësia e shijes së ujit të Zemzemit për gojën.