Translations:Yirmi Üçüncü Söz/142/sq
Unë pashë në atë vizion një urë madhështore të ngritur në dy male të lartë e të vendosur përballë njëri tjetrit... Nën urë ndodhej një luginë shumë e thellë... Unë ndodhesha përmbi urë. Një errësirë e dendur kishte mbuluar të gjitha anët e dynjanë. Hodha vështrimin nga ana e djathtë, por ç’të shohësh, një varr i madh gjendej në atë terr të pafund. Kështu m’u përfytyrua. Më vonë kur ktheva shikimin nga ana e majtë, sikur pashë se po përgatiteshin stuhi të tërbuara dhe fatkeqësi të grumbulluara midis dallgëve të lemerishme të asaj errësire. Kur vështrova poshtë urës përfytyrova se pashë një humnerë të thellë. Me vete kisha një elektrik dore, drita e të cilit u zbeh përballë atij terri të tmerrshëm.
Megjithatë unë e përdora dhe munda të shoh paksa me dritën e tij të zbehët. Por një situatë më e llahtarshme u shfaq për mua. U dukën aq shumë kuçedra e kafshë grabitqare rreth e rrotull dhe mbi urë, saqë unë bërtita me të madhe: “Ah sikur mos ta kisha këtë fener dore dhe mos t’i kisha parë këto gjëra të çuditshme!” Nga cilado anë që e ktheja atë fener merrja të njëjtat frikësime. Ndërkohë thashë “ah, medet! Ky fener më solli shumë telashe.” Atëherë me zemërim e flaka përtokë. Ndërsa po e copëtoja, errësira befas u largua, në një mënyrë sikur unë të kisha ngritur çelësin e një llambe gjigante të tillë sa rrezet e saj ndriçonin të gjithë botën! Tashmë çdo anë ishte mbushur me dritën e llampës e cila tregonte gjithçka ashtu siç ishte në realitet.